Situata e përmbytjeve të sotme në qytetin e Durrësit ka qenë aq gjithëpërfshirëse, sa uji nuk ka bërë asnjë dallim: ka hyrë në banesa, ka pushtuar rrugë, ka marrë përpara toka bujqësore dhe, për korrektësi institucionale, nuk ka kursyer as institucionet shtetërore.
Siç u raportua pak më parë në media, edhe institucioni i vuajtjes së dënimit në Durrës është përmbytur, duke vërtetuar se para natyrës të gjithë janë të barabartë, qofshin qytetarë të thjeshtë apo emra të njohur të politikës. Në këtë burg, vuajnë dënimin kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ish-ministri Ilir Beqja dhe ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, të cilët mesa duket sot nuk janë përballur vetëm me drejtësinë, por edhe me reshjet intensive.
Sapo mori vesh lajmin, Besforti – i njohur për ndjeshmërinë e tij selektive, u shfaq i shqetësuar për gjendjen e shokëve të partisë. Pa humbur kohë, ai ka marrë xhupin, ka veshur çizmet gjer në gju dhe është nisur drejt Durrësit, gati për të përballuar jo vetëm ujin, por edhe solidaritetin politik në kushte përmbytjeje.