KOLAZH/ Uji i Bekuar, besimtarët sfidojnë të ftohtin për Kryqin e Shenjtë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 06.01.2026, 13:38

Pavarësisht kushteve atmosferike, sot u mbajt ceremonia e Ditës së Ujit të Bekuar, ritual i shenjtë i besimit ortodoks, ku besimtarët marrin pjesë në hedhjen e Kryqit në ujë dhe marrin ujë të bekuar.

Në Liqenin e Pogradecit, 23-vjeçari Nikolin Jorgji kap Kryqin e Shenjtë në ujërat e ftohta gjatë Ditës së Ujit të Bekuar. Rreth 30 të rinj sfiduan të ftohtin për të marrë pjesë në ritual.

Në Berat, tetë të rinj sfiduan shiun dhe të ftohtin duke u hedhur në lumin Osum, ku Kryqi u hodh nga Mitropoliti Imzot Asti. Për herë të parë, 15-vjeçari Fabio Naço e kap Kryqin.

Në shatërvanin e qytetit të Korçës, disa të rinj u hodhën për Kryqin, por ai që e mori ishte Ervis Rakipi. Ceremonia u zhvillua pas meshës solemne dhe ishte pjesë e festës së Ditës së Ujit të Bekuar.

Në Fier, besimtarët ortodoksë festuan Ditën e Ujit të Bekuar në shatërvanin e sheshit “Europa” pranë Kishës së Shën Gjergjit. Ceremonia përfshiu hedhjen e Kryqit në ujë dhe marrjen e ujit të bekuar.

Në Sarandë, pavarësisht motit të keq, 24-vjeçari Andrea Baruta e kap për të dytin vit Kryqin e Shenjtë në det. Riti u drejtua nga Athanail, Despoti i Gjirokastrës, dhe mesazhi ishte paqe, shpresë për besimtarët.

Në Vlorë ceremonia u zhvillua normalisht, ku Marjo Nesturi sfidoi detin e trazuar dhe të ftohtin për të marrë Kryqin. Besimtarët morën ujë të bekuar nga deti, simbol i shëndetit dhe bekimit për familjet.

Në Durrës, Lushnje dhe Gjirokastër, kushtet e pafavorshme të motit detyruan anulimin e ceremonisë së hedhjes së Kryqit në det. Kjo ndodhi për herë të parë në të paktën dy dekadat e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit