Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Durrësin kanë sjellë probleme serioze në infrastrukturë. Në zonën e Currilave, rruga është bllokuar pas një rrëshqitjeje dheu, i cili ka rënë në karrexhatë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.
Sipas informacioneve nga terreni, sasia e madhe e dheut dhe materialeve të tjera ka zaptuar plotësisht rrugën, duke ndërprerë lëvizjen drejt kësaj zone. Si pasojë, qytetarët që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Currilave këshillohen të shmangin këtë aks rrugor, pasi kalimi nuk është i mundur.
Situata paraqet rrezik edhe për sigurinë e qytetarëve, pasi reshjet kanë destabilizuar terrenin dhe ekziston mundësia e rrëshqitjeve të tjera. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por bllokimi i rrugës ka krijuar vështirësi të mëdha për banorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Qytetarët i bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për pastrimin e rrugës dhe stabilizimin e zonës, në mënyrë që të rikthehet qarkullimi normal dhe të shmangen rreziqe të mëtejshme.