Përmbytet pallati i lagjes 17! Rindërtim pa drenazh nga firma e preferuar e Sakos

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 06.01.2026, 11:43

Pallati i rindërtuar pas tërmetit, në lagjen 17 të Durrësit, pranë Stacionit të Trenit, sot ofron pishinë nëntokësore. Pamjet nga bodrumet e përmbytura flasin më qartë se çdo raport zyrtar për “standardet europiane” të rindërtimit. Pas shirave të dendur, uji ka hyrë në pallat duke treguar se projektimi i drenazhimit dhe izolimit ka qenë më shumë në letër sesa në praktikë. Bashkia e Durrësit, nën drejtimin e kryebashkiakes Emirjana Sako, ka promovuar këto ndërtesa si simbol të ringritjes pas tërmetit.

Sot, simboli ngjan më shumë me një manual se si nuk duhet rindërtuar, bodrume pa zgjidhje teknike, nivelim i dyshimtë dhe mungesë kontrolli cilësor. Pyetja nuk është pse uji hyn, por kush e firmosi projektin, kush e mbikëqyri zbatimin dhe pse certifikatat e kolaudimit duken aq të thata, kur realiteti noton. Firmat ndërtuese, RAJLI NDËRTIM dhe GPG COMPANY fituese të tenderëve të rindërtimit, duket se kanë ndjekur kriterin më të vjetër në ndërtim, shpejt, lirë dhe pa përgjegjësi.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka firmosur dhe promovuar një proces rindërtimi që sot po fundoset në ujë dhe dyshime. Kompania RAJLI NDËRTIM, në pronësi të Enkelejda Gojashit dhe Lediana Matës, kjo e para e njohur për angazhimin e saj politik në radhët e Partisë Socialiste dhe pjesëmarrjen në komisione zgjedhore, ka përfituar rreth 9 milionë euro nga fondet publike, ku 8.7 milionë euro vetëm nga Bashkia e Durrësit. Në bashkëpunim me GPG Company, RAJLI ka fituar tenderë pa konkurrencë.

Këto të dhëna, të bazuara në dokumente tenderimi, ngrenë dyshime të forta se rindërtimi në Durrës është një skemë përfitimi politik dhe financiar, ku cilësia e ndërtimit humbet përballë interesave, ndërsa pasojat i mbajnë sot banorët. Banorët, që duhej të ndiheshin të sigurt pas traumës së tërmetit, sot matin nivelin e ujit nëpër bodrume. Një rindërtim pa kriter nuk është thjesht dështim teknik, është një faturë publike e paguar dy herë, njëherë me taksa dhe herën e dytë me pasiguri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit