Reshjet e dendura të shiut përmbytin Durrësin, pezullohet mësimi në shkolla dhe universitet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.01.2026, 09:52

Reshjet intensive të shiut të orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa segmente rrugore dhe zona urbane të qytetit të Durrësit. Si pasojë e situatës, autoritetet kanë vendosur pezullimin e procesit mësimor në të gjitha shkollat dhe në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Problematika më e theksuar paraqitet në zonat përreth stadiumit, Spitallë dhe NISH Tulla, ku uji ka vërshuar rrugët dhe hapësirat përreth. Oborri i Universitetit “Aleksandër Moisiu” ndodhet nën ujë, ndërsa prani e konsiderueshme uji raportohet edhe në disa biznese dhe oborre banesash në zonën e njohur si “Ish-Këneta”.

Vështirësi serioze janë evidentuar edhe në rrugën interurbane Tiranë–Durrës, pranë karburantit në hyrje të qytetit, ku prezenca e lartë e ujit në të dyja anët e lëvizjes e bën të pamundur qarkullimin normal të automjeteve.

Për të shmangur trafikun e rënduar dhe rrezikun e aksidenteve, Policia Rrugore ka njoftuar devijimin e qarkullimit. Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës do të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe më pas në aksin “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Ndërsa për në Durrës, kalimi do të kryhet nga rruga e universitetit në drejtim të Spitallës dhe në aksin “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit