Që prej mbrëmjes së djeshme, vendi ynë është përfshirë nga moti i keq, i shoqëruar me reshje të dendura shiu, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në disa qytete të vendit. Një nga zonat më të prekura është Durrësi, ku situata paraqitet alarmante pothuajse në të gjithë territorin e qytetit.
Rrugët e qytetit bregdetar janë mbuluar nga uji, duke e bërë qarkullimin e automjeteve jashtëzakonisht të vështirë dhe në shumë raste të pamundur. Një nga pikat më problematike është shëtitorja e Vollgës, ku uji ka pushtuar totalisht rrugën, duke bllokuar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve.
Reshjet me intensitet të lartë kanë vijuar gjatë gjithë natës, si në qytet ashtu edhe në periferitë e tij. Për pasojë, pothuajse i gjithë Durrësi ndodhet nën pushtetin e përmbytjeve, ndërsa situata problematike raportohet në të gjitha lagjet e qytetit.
Prania e ujit është e konsiderueshme në rrugë, trotuare dhe zona banimi, duke vështirësuar ndjeshëm jetën e përditshme të qytetarëve. Lëvizja në këmbë apo me automjete është kthyer në një sfidë, ndërsa në disa zona rrugët janë plotësisht të pakalueshme.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga ndërprerjet e energjisë elektrike në disa lagje të qytetit. Raportohet mungesë e energjisë në lagjen 1, si edhe në lagjet 4, 5, 13, 14, 15, 16, 17 dhe 18, duke shtuar shqetësimin për banorët.
Pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme për përkeqësim të motit, deri më tani nuk raportohet për masa konkrete nga autoritetet vendore për menaxhimin e situatës, zhbllokimin e pusetave apo largimin e ujit nga rrugët. Qytetarët shprehen të indinjuar për mungesën e reagimit institucional, ndërsa përmbytjet po paralizojnë jetën në qytet.
Në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike, mbetet e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme e strukturave përgjegjëse për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës dhe rrezikun për qytetarët.