Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë që prej mbrëmjes së djeshme Durrësin dhe pjesën më të madhe të vendit kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Situata paraqitet problematike në disa akse kryesore të qytetit bregdetar, veçanërisht në zonën pranë stadiumit dhe në shëtitoren e “Vollgës”, ku drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes për të shmangur incidente.
Ndërkohë, reshjet dhe prurjet e shtuara nga lumenjtë anësorë kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Edhe këtë të martë po vijojnë shkarkimet e kontrolluara të ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës, në kuadër të menaxhimit të situatës.