Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast vjedhjeje që ka ndodhur ditën e sotme në një lokal në zonën e Brrylit, në Tiranë.
Sipas denoncuesit, personi që shfaqet në pamjet e kamerave të sigurisë është paraqitur fillimisht si klient në lokal, ku ka porositur një gotë raki. Më pas, në një moment kur në banak nuk ndodhej askush, ai është afruar dhe ka marrë një telefon celular që ndodhej aty, duke e futur në xhep.
E gjithë ngjarja është e dokumentuar në pamjet filmike që ai ka dërguar në redaksinë tonë.
Denoncuesi shprehet se nuk e njeh personin në fjalë dhe se ka në plan ta kallëzojë rastin në polici ditën e nesërme.
Mesazhi i qytetarit në redaksinë tonë:
“Ky person më vodhi telefonin sot brenda, në banak. Nuk e njohim. Erdhi si klient, mori një raki dhe kur nuk kishte njeri, u afrua te banaku dhe e mori telefonin, siç duket qartë në kamera. Nesër në mëngjes do ta denoncoj rastin në polici.”
JOQ Albania publikon këtë denoncim për sensibilizim dhe mbetet në pritje të një reagimi nga autoritetet përkatëse. Çdo person që mund të ketë informacion mbi identitetin e individit të shfaqur në video, mund të kontaktojë organet ligjzbatuese.