Një tender me vlerë mbi 1 milion euro (118,385,642 lekë) për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare "Demir Gashi" në Bashkinë Dibër ka ngritur dyshime për hulumtime nga redaksia e JOQ përsa i përket transparencës së institucioneve shtetërore dhe konkurrencën e korruptuar kur bëhet fjalë për para publike.
Edhe pse në garë morën pjesë 13 operatorë ekonomikë, procedura ka përfunduar me skualifikimin e të gjithë konkurrentëve, përveç fituesit.
Sipas dokumentacionit të siguruar, ky prokurim mban disa shenja paralajmëruese që zakonisht shoqërojnë tenderat me risk të lartë korrupsioni. Është thuajse statistikisht e pamundur që në 13 kompani shqiptare, 12 prej tyre të mos plotësojnë kriteret teknike apo dokumentare. Ky veprim lë shteg për dyshime se kriteret janë hartuar në mënyrë të tillë që t'i përshtaten vetëm një kompanie, asaj fitueses NIKA SHPK.
Dokumenti konfirmon se ky tender është anulluar dy ose më shumë herë. Kjo është një taktikë e njohur në prokurimet publike: tenderi anullohet derisa "pazari" të mbyllet ose derisa konkurrentët e padëshiruar të tërhiqen nga gara.
Edhe pse qëllimi i tenderave publikë është kursimi i parave të taksapaguesve, në këtë rast janë skualifikuar operatorë që kanë ofruar çmime më të ulëta se fituesi, duke rritur koston e projektit për buxhetin e shtetit.

Mbi 1 Miliard Lekë me TVSH nga Buxheti i MAS dhe bashkisë Dibër për Shpresa Nikën, gllabëruesen e tenderave me objekt të tillë në shtet, të gjitha në shkelje me ligjin e Prokurimeve Publike.
Mbase SPAK duhet t'i hedhë sytë nga bashkitë këtë mandat të ri, dhe Rahimi do ishte një nisje me këmbë të mbarë...