Salillari nga oligark kthehet në investitor strategjik, në emër të gruas dhe kunatit ndërron park fotovoltaik

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 05.01.2026, 21:53

Një vendim i Këshillit të Ministrave pak muaj më parë ka hapur një tjetër kapitull të errët në historinë e koncesioneve dhe investimeve strategjike në Shqipëri.

Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues fotovoltaik në zonën e Levanit, Fier, nga shoqëria “Albania Solar Power” sh.p.k., me afat operimi 49 vjet dhe kapacitet 82 MW, një projekt që kërkon investime në vlerën e dhjetëra milionë eurove.

Por pas këtij vendimi fshihet një realitet shqiptaresk.

Shoqëria “Albania Solar Power” është regjistruar vetëm 16 muaj më parë, me një kapital themeltar prej vetëm 100.000 lekësh, ka administrator dhe pronar shtetasin Engjëll Agalliu nga Tërpani i Beratit, kunatin e oligarkut Pëllumb Salillari dhe nuk ka asnjë bilanc financiar të publikuar në QKB.

Në këto kushte, lind pyetja: si do të realizojë kjo kompani një investim që kap shifra rreth 35 milionë euro?

Nga mekanik në “investitor strategjik”

Sipas të dhënave, Engjëll Agalliu ka profesion mekanik për makineri industriale dhe këtë detyrë e ka ushtruar më herët në kompaninë “Salillari sh.p.k.” të biznesmenit të njohur Pëllumb Salillari. Në të njëjtën kompani kanë qenë të punësuar edhe vëllai i tij më i vogël si dhe babai i tyre, Hektor Agalliu, me profesion magazinier.

Ironikisht, ky transformim “magjik” nga punëmarrës të thjeshtë në investitorë dhe koncesionarë miliona eurosh duket se është bërë i zakonshëm në Shqipërinë e sotme.

Kush e financon realisht projektin?

Në terren, punimet për ndërtimin e centralit fotovoltaik nuk po i kryen “Albania Solar Power”, por kompania “Bervi Construction” sh.p.k., në administrim dhe pronësi të Afërdita Salillarit, bashkëshortja e Pëllumb Salillarit. Kjo kompani ka qenë deri më 10 tetor 2011 në pronësi të vetë Salillarit, me emërtimet “Salillari Construction” dhe “BERVI-1”.

Kjo skemë hedh dyshime të forta se financuesi dhe pronari faktik i centralit është vetë Pëllumb Salillari, i cili dyshohet se fshihet pas emrave të bashkëshortes dhe kunatit për të maskuar pronësinë reale të investimit.

40 hektarë toka të fermerëve “zhduken” nga Kadastra

Investimi po kryhet në rreth 40 hektarë toka bujqësore në fshatin Boçovë të Fierit, të cilat u përkasin fermerëve vendas dhe janë përfituar prej tyre sipas Ligjit 7501, duke i pasur në zotërim për mbi 33 vite.

Sipas banorëve, me urdhër politik, këto toka janë hequr nga pronësia e tyre në Kadastër dhe janë regjistruar në emër të “Bervi Construction” sh.p.k., e cila më pas ia ka dhënë për përdorim për 50 vjet “Albania Solar Power”, për ndërtimin e parkut fotovoltaik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit