Mrekulli e mjekësisë falas: Pas goditjes në kokë, Lapaj rikthehet në shesh

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.01.2026, 21:15

Në një kthesë ngjarjesh që i ka lënë mjekët e Traumës pa fjalë dhe shkencën mjekësore të habitur, lideri i lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj, ka arritur të ringrihet në këmbë vetëm pak orë pasi u godit pabesisht në kokë nga një ngrohëse portative gjatë aksionit të policisë.

Burime nga spitali konfirmojnë se Lapaj jo vetëm që mbijetoi ndaj "atentatit" të pajisjes shtëpiake, por sapo doli nga reanimacioni, kërkoi menjëherë një megafon dhe një platformë druri për të mbajtur fjalimin e radhës.

Mjekët e cilësuan shërimin e tij si një triumf të "Mjekësisë Falas" që qeveria reklamon, ndonëse Lapaj pretendon se u shërua vetëm nga dëshira e zjarrtë për të parë rrëzimin e Ramës para se t’i skadonte fasha në kokë.

Sapo la ambientet e Traumës, Adriatiku u rishfaq para Kryeministrisë, këtë herë me një qëndrim edhe më heroik. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht, duke paralajmëruar se nëse nuk rrëzohet qeveria, herën tjetër mund të hidhet në aksion edhe ndonjë bolier apo kondicioner i vjetër.

Analistët politikë sugjerojnë se ky është stadi i ri i opozitarizmit: "Martirizimi nga pajisjet elektro-shtëpiake". "Sot ishte një ngrohëse, nesër mund të jetë një tostierë që nuk ia pjek bukën mirë," tha një ekspert i pavarur. "Nëse qeveria nuk rrëzohet deri në fundjavë, Lapaj ka planifikuar të protestojë edhe kundër gravitetit që e lejoi ngrohësen të binte mbi kokën e tij."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit