Nicolás Maduro Guerra, djali i ish-presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, ka akuzuar hapur Shtetet e Bashkuara për “rrëmbimin” e të atit, duke bërë thirrje për solidaritet ndërkombëtar që ai të kthehet në Venezuelë.
Deklaratat u bënë gjatë një seance të Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, dy ditë pas kapjes së Nicolás Maduro-s dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, në një operacion ushtarak amerikan në Caracas. Sipas Maduro Guerra-s, operacioni përbën një shkelje të rëndë të sovranitetit të Venezuelës dhe krijon një precedent të rrezikshëm për rendin ndërkombëtar.
“Nëse normalizohet rrëmbimi i një kreu shteti, asnjë vend nuk është i sigurt. Sot është Venezuela, nesër mund të jetë çdo komb që refuzon të nënshtrohet,” u shpreh ai, duke e cilësuar situatën si një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin global dhe barazinë sovrane të shteteve.
Ai u bëri thirrje popujve dhe qeverive të botës të mos heshtin përballë kësaj ngjarjeje, duke theksuar se solidariteti me Nicolás Maduro-n, Cilia Flores-in dhe Venezuelën nuk është një zgjedhje politike, por një detyrim etik dhe ligjor. Sipas tij, heshtja përballë këtyre veprimeve dobëson sistemin ndërkombëtar.
Maduro Guerra reagoi gjithashtu ndaj aktakuzës së fundit të SHBA-ve, ku përfshihet edhe emri i tij, lidhur me akuza për trafik droge dhe armësh. Ai i hodhi poshtë kategorikisht akuzat, duke deklaruar se familja e tij po përballet me persekutim politik.
Ngjarja ka rritur ndjeshëm tensionet ndërkombëtare, ndërsa reagimet pritet të vijojnë në ditët në vijim, në një klimë të ndezur politike dhe diplomatike.