Adriatik Lapaj shpallet “Dëshmori i Parë i Vitit 2026”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.01.2026, 20:21

Bota e aktivizimit civil është tronditur teksa lideri i lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj, është dërguar me urgjencë në spital pas një sulmi brutal nga forcat e gravitetit dhe të një bombole gazi "agjente e regjimit".

Sipas dëshmitarëve okularë (të cilët rastësisht ishin duke mbajtur kamerat me rezolucion 4K në drejtim të tij), incidenti ndodhi kur një bombol gazi, e infiltruar qartazi nga Belinda Balluku, vendosi të binte në kontakt me kokat e ndritura të opozitës së re. Lapaj, i cili po qëndronte heroikisht përballë kryeministrisë duke sakrifikuar darkën e Vitit të Ri për një selfie me popullin, u rrëzua në tokë në një mënyrë aq dramatike saqë regjisorët e Hollivudit po konsiderojnë ta përdorin si material mësimor për zhanrin e tragjedisë.

"Ishte një sjellje barbare e ligjit të Njutonit," deklaroi Lapaj nga shtrati i spitalit. "Regjimi i Edi Ramës ka arritur deri aty sa të korruptojë edhe objektet inerte. Sot ra një bombol, por nesër mund të bjerë gjithçka."

Lëvizja "Shqipëria Bëhet" njoftoi se kjo është një tentativë e pastër eliminimi fizik. "Nuk është rastësi që bombola ra pikërisht në kokën e Adriatikut dhe jo në trotuar," tha një aktivist ndërsa fshinte lotët me një kopje të ligjit për referendumet. "Kjo është një dëshmi se regjimi trembet nga njerëzit që hanë gjel deti në bulevard në emër të demokracisë."

Burime pranë spitalit thonë se gjendja e Lapajt është "kritike për vëmendje". Mjekët raportojnë se pacienti ka refuzuar serumin, duke kërkuar që çdo rrahje zemre të transmetohet live në TV me titullin: "Luanit të Bulevardit i dhemb pak koka për ju".

Ndërkohë, stafi mjekësor është udhëzuar që të mos përdorë alkool për pastrimin e plagëve, pasi Adriatiku ka frikë se mos aroma e alkoolit e bën të duket si një politikan i vjetër që dehet nëpër darka, dhe ai preferon të mbajë aromën e pastër të "shpresës" dhe "çadrave të qëndresës".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit