Një 19-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Itali, pasi akuzohet si i përfshirë në një grabitje me dhunë në një vilë në zonën e Via Marco Emilio Lepido, në periferi të Bolonjës, pranë Anzolës.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur natën mes 30 dhe 31 dhjetorit 2024, kur të paktën tre persona të maskuar, kanë hyrë në banesë në kohën kur brenda ndodhej vetëm një i mitur 17-vjeçar. Ky i fundit raportohet se është lidhur këmbë dhe duar me lidhëse plastike, ndërsa autorët kanë grabitur të gjithë vilën.
Burime hetimore bëjnë me dije se nga banesa janë marrë ora dore, bizhuteri, aksesorë veshjeje, një televizor, disa pajisje elektroshtëpiake, si edhe përmbajtja e një kasaforte, e cila dyshohet se është hapur me mjete prerëse. Pas grabitjes, autorët janë larguar me një automjet që rezultonte i vjedhur disa ditë më parë në zonën e San Lazzaros.
Ngjarja ka shkaktuar momente të forta paniku për të miturin, i cili ndodhej i vetëm në shtëpi në momentin e grabitjes.
Hetimet janë ndjekur nga specialistët e Squadra Mobile në Bolonja, të cilët janë fokusuar në analizimin e të dhënave telefonike dhe lëvizjeve të dyshuara të autorëve. Pas analizimit të qindra komunikimeve, autoritetet kanë grumbulluar prova të cilat, sipas gjyqtarit të çështjes, përbëjnë indicie të forta ndaj 19-vjeçarit shqiptar.
I riu, i cili sipas mediave italiane ka pasur edhe precedentë të mëparshëm për grabitje, është arrestuar dhe është dërguar në burg, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.