Një ngjarje e rëndë që ka tronditur opinionin publik vijon të sjellë reagime të forta nga familjarët e vajzës 12-vjeçare nga fshati Piskupat i Pogradecit, e cila dyshohet se është abuzuar seksualisht dhe ka mbetur shtatzënë.
Gjyshi i të miturës ka bërë apel publik për drejtësi dhe mbrojtje për mbesën e tij, duke theksuar se vajza është e traumatizuar dhe ka nevojë për një mjedis të sigurt. Sipas tij, pas ngjarjes së rëndë, fëmija refuzon të shkojë në shkollë, ndërsa situata ka ndikuar edhe tek motra e saj më e vogël.
Familjarët kërkojnë që institucionet shtetërore të garantojnë sigurinë e fëmijëve dhe që çështja të trajtohet me seriozitet maksimal, pa lehtësime apo ndikime të tjera.
Ngjarja u zbulua pasi prindërit vunë re ndryshime fizike tek vajza dhe e dërguan për kontroll mjekësor, ku u konstatua se ajo ishte rreth 22 javëshe shtatzënë. Më pas, e mitura ka rrëfyer për abuzimin e dyshuar.
Gjykata e Korçës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Rushan Selkon, 67 vjeç, i akuzuar se ka abuzuar seksualisht me të miturën. Sipas Policisë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë muajit gusht 2024. I pandehuri nuk i ka pranuar akuzat.