Zvicra ka ngrirë asetet që ndodhen në territorin e saj dhe që lidhen me presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe persona të afërt me të, pas arrestimit të tij nga forcat amerikane në Caracas dhe transferimit në Shtetet e Bashkuara.
Lajmi u konfirmua nga qeveria zvicerane, e cila bëri të ditur se masa prek gjithsej 37 persona. Sipas Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, nuk janë dhënë detaje mbi vlerën e aseteve të ngrira.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe do të jetë i vlefshëm për katër vite, me qëllim parandalimin e nxjerrjes jashtë vendit të pasurive që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme. Kjo masë vjen si shtesë e sanksioneve që Zvicra ka vendosur ndaj Venezuelës që prej vitit 2018.
Autoritetet zvicerane sqarojnë se ngrirja e aseteve nuk prek anëtarët e qeverisë aktuale të Venezuelës. Gjithashtu, Zvicra ka deklaruar se çdo fond që rezulton i përfituar në mënyrë të paligjshme do të synohet t’i kthehet popullit venezuelian.
Qeveria zvicerane e ka cilësuar situatën në Venezuelë si të paqëndrueshme, me zhvillime të mundshme në ditët dhe javët në vijim. Ajo ka bërë thirrje për përmbajtje dhe ulje të tensioneve, duke ofruar ndërmjetësimin e saj për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.
Sipas deklaratës zyrtare, ngrirja e aseteve është një masë paraprake dhe zbatohet ndaj Maduro-s dhe bashkëpunëtorëve të tij si persona politikisht të ekspozuar të huaj.