Ish-presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, është paraqitur këtë të hënë para një gjykate federale në New York, pas kapjes së tij të shtunën gjatë një operacioni ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Caracas. Ai përballet me akuza të rënda për trafik droge dhe armësh, si edhe për “narko-terrorizëm”.
Seanca u drejtua nga gjyqtari 92-vjeçar Alvin Hellerstein, i cili e informoi Maduron për akuzat zyrtare. Gjatë paraqitjes së tij në sallë, Maduro u deklarua i pafajshëm, duke folur në spanjisht dhe duke theksuar se nuk i njeh akuzat ndaj tij.
“Unë jam një njeri i ndershëm. Jam ende president i vendit tim,” u shpreh ai para gjykatës, duke shtuar se ishte “marrë peng”.
E pafajshme u deklarua edhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, e cila akuzohet gjithashtu për përfshirje në trafik droge.
Për mbrojtjen ligjore, Maduro ka angazhuar avokatin e njohur penalist Barry Pollack, i cili më herët ka përfaqësuar themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange. Pollack ka depozituar zyrtarisht dokumentet për marrjen e mbrojtjes në çështjen e trafikut të drogës në Distriktin Jugor të New York-ut, përpara zhvillimit të seancës.
Gjykata ka caktuar seancën e radhës për datën 17 mars, ndërsa gjyqtari ka urdhëruar që Maduro të paraqitet sërish. Avokati i tij bëri të ditur se në këtë fazë nuk do të kërkohet lirimi me kusht, megjithatë kjo mund të ndodhë në një moment të mëvonshëm.
Çështja pritet të ketë zhvillime të forta politike dhe juridike, duke qenë se Maduro vazhdon të pretendojë se është ende president legjitim i Venezuelës, ndërsa për SHBA-në ai përbën një nga figurat kryesore të akuzuara për narko-terrorizëm në rajon.