Prej një kohe të gjatë, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur dhjetëra denoncime nga banorët e zonave Orikum, Tragjas dhe Dukat, të cilët shprehin shqetësimin dhe revoltën e tyre për ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.
Sipas qytetarëve, mjafton një erë e lehtë që e gjithë zona të mbetet pa drita, jo për pak minuta, por për orë të tëra dhe shpesh edhe për disa ditë radhazi. Ata theksojnë se kjo situatë është kthyer në një problem të përsëritur dhe tashmë po trajtohet si “normalitet”, ndërsa shteti dhe pushteti vendor duket se i kanë lënë këto zona në harresë të plotë.
Ndërprerjet e energjisë ndodhin pa asnjë paralajmërim, duke shkaktuar pasoja serioze për familjet dhe bizneset lokale. Ushqimet prishen, pajisjet elektrike digjen, ndërsa të moshuarit, fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta përballen me vështirësi të mëdha.
Banorët shprehen se kanë bërë ankesa të vazhdueshme pranë institucioneve përkatëse, por deri më tani nuk ka pasur asnjë zgjidhje konkrete. Sipas tyre, nuk është kryer asnjë investim serioz për përmirësimin e rrjetit elektrik dhe gjithçka ka mbetur vetëm në premtime boshe dhe indiferencë.
Qytetarët e Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit theksojnë se nuk kërkojnë luks, por një shërbim bazë si energjia elektrike, e cila në vitin 2026 nuk duhet të jetë ende një problem.
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti OSHEE Vlorë, që të reagojnë urgjentisht dhe të marrin masa konkrete për zgjidhjen e kësaj situate të rëndë, e cila po rëndon çdo ditë jetën e qindra familjeve.