Një qytetare që jeton në zonën e Yzberishtit, në Tiranë, i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur një shqetësim serioz, i cili sipas saj vazhdon prej një kohe të gjatë dhe prek të gjithë banorët e lagjes.
Në pamjet e dërguara pranë redaksisë, ajo tregon se pothuajse çdo rrugicë e Yzberishtit është e paasfaltuar, ndërsa zona është e mbuluar nga mbeturinat. Kjo situatë jo vetëm që vështirëson lëvizjen e banorëve, por përbën edhe rrezik për shëndetin e tyre, sidomos gjatë ditëve me shi, kur rrugët kthehen në baltë dhe papastërti.
Në këtë pikë jo vetëm zonja por të gjithë banorët e Yzberishtit ndihen të harruar nga Bashkia e Tiranës dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Sipas zonjës që ka dërguar videon ajo shprehet se, mjafton edhe një shtrim minimal i rrugëve me asfalt që situata të përmirësohet ndjeshëm dhe të shmanget grumbullimi i madh i plehrave.
Ajo u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa sa më parë.