Skifeteri shqiptar “diss” drejtësisë angleze: Nuk më hiqni dot qafe

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.01.2026, 14:31

Problemet me ligjin në Mbretërinë e Bashkuar duket se nuk e kanë penguar Dorian Pukën të vijojë jetën e tij luksoze në Londër. Sipas mediave britanike, 31-vjeçari është dëbuar dy herë më parë nga Britania për vjedhje, por aktualisht ndodhet në liri nën një masë imigracioni, teksa pret shqyrtimin e kërkesës së tij për azil. Gazeta The Sun raporton se ai është rikthyer ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar pas dëbimeve dhe ka vijuar aktivitetin kriminal deri në momentin e ndalimit nga policia, ndërsa kërkesa për azil e paraqitur në vitin 2020 ka pezulluar përkohësisht procedurat e largimit nga vendi.

Sipas të njëjtit burim, Puka ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga klube nate VIP në zonën Mayfair të Londrës, si dhe fotografi pranë një automjeti luksoz Rolls-Royce, pavarësisht se ndodhet nën mbikëqyrje elektronike. Në videot e siguruara nga media, ai shfaqet duke tymosur në klube nate, duke shëtitur një mace ekzotike me vlerë rreth 10 mijë paundë dhe duke u mburrur me koleksionin e orave luksoze, ku përfshihet edhe një Rolex Day-Date me vlerë rreth 53 mijë paundë. Që nga viti 2023, ai ndodhet në liri me kusht dhe mban një byzylyk elektronik, në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës.

Një zëdhënës i Home Office ka deklaruar se qeveria britanike është në proces reformimi të sistemit të migracionit dhe apelimit, me synimin për të rritur dëbimet dhe për të parandaluar abuzimet me ligjin e azilit. Sipas mediave britanike, raste si ai i Pukës, ku persona të dëbuar rikthehen në vend dhe shfaqin hapur një stil jetese luksoze në rrjetet sociale, kanë nxitur kritika të forta mbi funksionimin e sistemit të azilit, kontrollit kufitar dhe efektivitetin e masave mbikëqyrëse në Mbretërinë e Bashkuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit