Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.01.2026, 12:37
Këtë të hënë në Shkodër u zhvillua seanca gjyqësore për masat e sigurisë ndaj katër të arrestuarve, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 27 dhjetor 2025, ku u vendos tritol në sahatin elektrik të katit të parë të një pallati, shpërthim që i mori jetën 67-vjeçarit Hysni Ymeri. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër la në masën “arrest me burg” Gert Bushatin, i dyshuar si autor i vendosjes së eksplozivit, si edhe Gjergj Zefin, Ergys Ibrahimin dhe Edison Hasajn, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Gert Bushati ka pranuar në polici se ai ka vendosur sasinë e tritolit më 27 dhjetor në panelin e matësve elektrik, e cila shpërtheu dy ditë më pas. Në deklaratën e tij, Bushati ka pohuar se është kontaktuar nga Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi për të kryer këtë veprim, duke theksuar se i ishte thënë se eksplozivi do të shërbente vetëm për të trembur dikë dhe jo për të vrarë. “Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje, vetëm për të trembur dikë”, ka deklaruar Bushati, duke shtuar se nuk e di arsyen e vendosjes së tritolit dhe se roli i tij ka qenë vetëm ekzekutimi i porosisë.
Ndërkohë, tre të arrestuarit e tjerë, Gjergj Zefi, Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj, nuk e kanë pranuar ngjarjen, kanë heshtur në gjykatë dhe janë përfaqësuar nga avokatët, duke mohuar çdo lidhje me tritolin. Pavarësisht kësaj, policia ka sekuestruar telefona, ka përgjime dhe prova të tjera që mund t’i implikojnë ata. Sipas hetimeve, sasia e eksplozivit ishte vendosur edhe më herët, por pa shpërthyer, ndërsa hera e dytë më 27 dhjetor rezultoi fatale. Ndaj katër të dyshuarve rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “mbajtje pa leje të armëve shpërthyese”, si edhe akuza të tjera, ndërsa motivi i vrasjes së Hysni Ymerit mbetet ende i paqartë dhe nën hetim.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR