Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe erës së fortë, trageti i linjës Vlorë–Brindisi nuk ka mundur të ankorojë në kalatat e Portit të Vlorës, pasi ekziston rrezik për përplasje me infrastrukturën portuale. Si pasojë, nisja e planifikuar për ditën e sotme është pezulluar për arsye sigurie, ndonëse rreth 800 pasagjerë dhe 150 automjete kanë kryer prenotimet për këtë udhëtim.
Sipas burimeve zyrtare, parashikohet një tjetër përpjekje për ankorim në orën 13:00, me synimin për të marrë pasagjerët, nëse kushtet e motit do ta lejojnë. Aktualisht, për shkak të erës së fortë dhe detit të trazuar, trageti ndodhet në rad, ndërsa mjetet lundruese të vogla janë ankoruar në zonën e Triportit.
Ndërkohë, Kapitaneria e Portit ka njoftuar se nga data 2 deri më 7, të gjitha mjetet e peshkimit do të qëndrojnë të ankoruara në Triport, deri në një njoftim të dytë.