Morën 1500 euro, gjyq për 4 të rinjtë që vranë me tritol të moshuarin në Shkodër

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.01.2026, 09:53

Mbahet sot seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj katër personave të arrestuar pas shpërthimit me tritol që i mori jetën 67-vjeçarit Hysni Ymeri. Të dyshuarit, Geri Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi, do të dalin përpara trupit gjykues nën akuzat e rënda të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, si dhe vepra të tjera penale. Prokuroria pritet të paraqesë provat e grumbulluara dhe të kërkojë masën e arrestit në burg.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 dhjetor 2025 në lagjen “Manush Alimani” të Shkodrës, ku një sasi lënde plasëse ishte vendosur në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima. Fillimisht rasti u raportua si aksident për shkak të një defekti elektrik, por kjo pistë u rrëzua pas verifikimeve të OSHEE-së dhe hetimeve të thelluara të policisë. Nga shpërthimi humbi jetën Hysni Ymeri, ndërsa zona u trondit nga ngjarja.

Sipas hetimeve, Gerti Bushati dyshohet se ka vendosur eksplozivin kundrejt një pagese prej 1500 euro, shumë e cila u gjet e sekuestruar në banesën e tij. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar atë pranë vendngjarjes, ndërsa dyshohet se shpërthimi është aktivizuar me telekomandë nga Ergys Ibrahimi në momentin kur viktima po kthehej në banesë. Grupi hetimor bën me dije se autorët nuk kanë pasur konflikte të drejtpërdrejta me viktimën, ndërsa porositësi dhe motivi i vrasjes mbeten ende të paidentifikuara.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit