Nevojat për investime në rrjetin e kanalizimeve në Tiranë po rriten vazhdimisht, ndërsa fondet e vëna realisht në dispozicion mbeten larg kërkesave reale. Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) evidenton se gjatë periudhës 2015–2025, Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) ka realizuar investime kapitale në vlerën rreth 7 miliardë lekë, por vetëm një pjesë e vogël e tyre është orientuar drejt përmirësimit të sistemit të kanalizimeve.
Sipas KLSH-së, investimet për kanalizimet kanë qenë të paqëndrueshme nga viti në vit, duke luhatur ndjeshëm si peshë ndaj totalit të fondeve. Kulmi është shënuar në vitin 2015, kur mbi gjysmën e investimeve vjetore u destinuan për këtë sektor, ndërsa në vitin 2022 pesha e tyre ra në nivel minimal, rreth 2 për qind. Në total, fondet për kanalizimet përbëjnë vetëm rreth 13 për qind të investimeve të UKT në një dekadë, çka sipas auditimit ka pasur ndikim të kufizuar në përmirësimin e shërbimit dhe në reduktimin e ndotjes mjedisore.
Raporti thekson se mungesa e burimeve financiare, infrastruktura e vjetëruar dhe rritja e shpejtë e popullsisë si pasojë e migrimit drejt kryeqytetit kanë vënë rrjetin e kanalizimeve nën presion të vazhdueshëm. KLSH vlerëson se në shumë zona sistemi funksionon në kapacitet maksimal dhe se, pavarësisht rritjes së investimeve vitet e fundit, ato nuk kanë qenë të balancuara mes furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, as të mjaftueshme për të përmbushur nevojat reale të Tiranës.