Ndërron jetë në spital ish-futbollisti i Flamurtarit: U përplas nga një i ri me Audi teksa po kalonte në vijat e bardha

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.01.2026, 00:09

Ka ndërruar jetë këtë të diel Pandeli Opingari, ish-futbollist i shquar i Flamurtarit dhe figurë e njohur e sportit vlonjat, dy ditë pasi u aksidentua rëndë teksa po kalonte në vijat e bardha në qytetin e Vlorës.

Aksidenti ndodhi më 2 janar, në rrugën “Demokracia”, ku 96-vjeçari u përplas nga një automjet tip Audi, i drejtuar nga një 22-vjeçar me inicialet O. A.. I moshuari u transportua me urgjencë në spital dhe ndodhej nën kujdesin e mjekëve, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë pas dy ditësh.

Pas ngjarjes, policia arrestoi drejtuesin e mjetit, ndërsa rasti u hetua si aksident rrugor i ndodhur teksa këmbësori po kalonte në vijat e bardha.

Ndarja nga jeta e Pandeli Opingarit, i njohur për shumëkënd edhe si profesor Pompi, ka sjellë trishtim të madh në Vlorë dhe në komunitetin sportiv. Ai ishte një nga figurat më të respektuara të futbollit vlonjat, ish-futbollist i Flamurtarit në vitet ’60–’70, mësues i edukimit fizik, trajner, intelektual dhe shembull i qytetarit model.

Një jetë e tërë e lidhur me sportin dhe edukimin, që u ndërpre tragjikisht jo nga mosha, por nga një aksident rrugor.

Homazhet në nderim të Pandeli Opingarit do të zhvillohen nesër, në orën 11:00, pranë Stadiumit “Flamurtari”, për t’i dhënë lamtumirën e fundit një emri që la gjurmë në historinë e sportit vlonjat.

🕊 Lamtumirë, profesor Pompi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit