Pas “golit” që i bëri taksistit, i riu mashtron pronarin e një biznesi: Më kanë kapur vëllain!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.01.2026, 18:50

Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për të njëjtin person që u shfaq në videon e publikuar pak më herët, ku mashtroi një taksist në qendër të Tiranës.

Sipas denoncimit të ri, i riu ka përdorur një skemë të ngjashme mashtrimi, këtë herë në një Coffee Shop në kryeqytet. Qytetari që ka kontaktuar redaksinë tonë pretendon se i riu i ka kërkuar 6 mijë lekë, duke justifikuar se “policia i kishte ndaluar vëllain pa patentë” dhe se kishte një hall urgjent.

Në video, ai dëgjohet duke i thënë pronarit të lokalit:

“Ma ka kapur vëllain policia pa patentë, më jep 6 mijë lekë, t’i jap pas 10 minutash. Kam hall. Do të jap 10 mijë kur të kthehem.”

Pa hezituar, pronari i Coffee Shop-it ia ka dhënë shumën e kërkuar, me besimin se paratë do t’i ktheheshin brenda pak minutash. Por, sipas denoncimit, i riu është larguar dhe nuk është kthyer më. Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë.

Qytetari që ka bërë denoncimin shkruan:

“Ky tipi që i ka bo gol taksistit, ma bëri dhe mua të njëjtën. Kërkoi 6 mijë lekë në një coffee shop në Tiranë.”

Ky rast vjen vetëm pak kohë pas denoncimit të mëparshëm, ku i njëjti person ka mashtruar një taksist, duke i marrë 15 mijë lekë me pretendimin se do t’i këmbenin me një kartëmonedhë 200 euro, por pa u kthyer më.

Rastet e përsëritura ngrenë dyshime për një skemë të qëllimshme mashtrimi, ku shfrytëzohet mirëbesimi i qytetarëve dhe justifikime emocionale për të përfituar para.

JOQ Albania publikon këto denoncime për të paralajmëruar qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen. Nëse ka persona të tjerë që pretendojnë se janë mashtruar nga i njëjti individ, ftohen të kontaktojnë redaksinë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit