Tomas Strakosha pa diskutim është një nga portierët më të mirë që ka prodhuar Shqipëria. Por ai nuk ndalet vetëm në nivelet kombëtare, në vitin 2025, gardiani shqiptar është ndër më të spikaturit në Europë.
Sipas statistikave të “Transfermarkt”, Strakosha renditet i 4-ti për numrin e portave të paprekura. Nga 44 ndeshje të luajtura, ai ka mbajtur portën të pastër në 22 raste, duke u bërë një udhëheqës i pazëvendësueshëm për Kombëtaren shqiptare dhe për AEK-un e Athinës.
Paraqitjet e tij spektakolare dhe pritjet që shpesh duket se sfidojnë gravitacionin kanë bërë që 30-vjeçari të lërë pas emra të mëdhenj si Manuel Neuer dhe Thibaut Courtois. Madje, gjermani nuk figuron fare në këtë listë, ndërsa belgu renditet gjashtë vende më poshtë se Strakosha.
Portierë si Kostas, Simon dhe Raja qëndrojnë poshtë tij, ndërsa vetëm yje si Trubin, Donnarumma dhe Kobel kanë arritur të kenë performancë më të mirë. Një fakt që dëshmon qartë se Strakosha është jo vetëm lideri i Kombëtares shqiptare, por edhe një nga gardianët më të respektuar të momentit në futbollin evropian.