Venezuela, superfuqia e rezervave të naftës por me ndikim të kufizuar në tregje

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.01.2026, 16:11

“Kush kontrollon naftën, kontrollon kombet.” Kjo thënie e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, e formuluar në vitet ’70, mbetet aktuale edhe sot. Nafta, e njohur si “ari i zi”, vazhdon të jetë në qendër të gjeopolitikës globale.

Venezuela renditet si vendi i parë në botë për rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar, me rreth 303 miliardë fuçi. Ajo lë pas Arabinë Saudite me 276 miliardë, Iranin me 209 miliardë, si edhe Kanadanë, Irakun, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në vendin e nëntë me rreth 69 miliardë fuçi rezerva.

Para vendosjes së sanksioneve amerikane, Venezuela prodhonte mbi 2 milionë fuçi naftë në ditë në vitin 2017. Prodhimi ra në rreth 1.5 milionë fuçi në 2018, mbi 1 milion në 2019 dhe zbriti në rreth 569 mijë fuçi në ditë në vitin 2020, pas ashpërsimit të masave ndëshkuese nga Uashingtoni.

Kina është importuesi kryesor i naftës venezueliane, duke përthithur rreth 68 për qind të totalit, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 23 për qind. Në Evropë, Spanja mbetet një nga importuesit kryesorë, me rreth 4 për qind të sasisë totale.

Sipas analistëve të tregjeve, çdo ndryshim politik në Venezuelë, përfshirë largimin e mundshëm të presidentit Nikolas Maduro, nuk pritet të ketë ndikim të madh në tregjet globale dhe as në çmimin e naftës. Kjo për shkak se tregu aktualisht konsiderohet i mbingopur, ndaj rritja e çmimeve pritet të jetë e kufizuar, rreth 1–2 dollarë për fuçi.

Madje, një rritje e prodhimit dhe eksportit të naftës venezueliane, e shoqëruar me lehtësimin ose heqjen e sanksioneve, mund të sjellë ulje të çmimit të “arit të zi” në bursat ndërkombëtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit