E lindur në vitin 1956 në Tinaquillo, në Venezuelën qendrore, Cilia Flores u rrit në lagje punëtore të Karakasit perëndimor. Juriste e specializuar në të drejtën e punës dhe penale, ajo u përfshi herët në lëvizjen e Hugo Chavez, duke ofruar mbështetje ligjore për të dhe oficerë të tjerë ushtarakë pas grushtit të dështuar të shtetit në 1992.
Gjatë kësaj periudhe, Flores u njoh me Nicolas Maduro, me të cilin krijoi një partneritet politik dhe personal që zgjati mbi 30 vjet. Paralelisht, ajo ndërtoi karrierën politike, duke u zgjedhur deputete në Asamblenë Kombëtare në vitin 2000 dhe sërish në 2005.
Në 2006, u bë gruaja e parë që drejtoi parlamentin venezuelian. Mandati i saj u shoqërua me polemika, duke përfshirë ndalimin e gazetarëve në sallën plenare dhe akuzat për punësimin e familjarëve në administratën parlamentare, të cilat ajo i mohoi.
Mes 2009 dhe 2011, Flores shërbeu si nënkryetare e dytë e Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës, ndërsa në 2012 u emërua Prokurore e Përgjithshme nga Hugo Chavez. Ajo mbeti pjesë e ngushtë e udhëheqjes edhe gjatë muajve të fundit të jetës së Chavez-it. Pas ardhjes në pushtet të Maduros, profili i saj publik u zbeh disi; presidenti e quajti “luftëtarja e parë”, duke shmangur titullin “zonja e parë”, që e konsideroi aristokratik.
Sipas aktakuzave të prokurorëve amerikanë, Flores akuzohet se në 2007 pranoi qindra mijëra dollarë ryshfet për të organizuar një takim mes një trafikanti të madh droge dhe Nestor Reverol Torres, atëherë drejtor i Zyrës Kombëtare Kundër Drogës në Venezuelë. Hetimet tregojnë se trafiku i drogës lejonte fluturime me kokainë kundrejt pagesave mujore prej 100 mijë dollarë për çdo fluturim, një pjesë e të cilave dyshohet se përfundonte tek Flores.
Reverol Torres u akuzua në 2015 në Nju Jork për vepra penale të lidhura me narkotikët dhe aktualisht është në arrati. Hetimet amerikane e paraqesin Flores si pjesë e një rrjeti ndikimi që ka siguruar mbrojtje institucionale për trafikun e drogës.
Emri i saj u përfshi në hetime ndërkombëtare që nga 2015, kur dy nipërit e saj u arrestuan dhe më pas u dënuan në Shtetet e Bashkuara për komplot për trafik droge. Ata u liruan në 2022 gjatë një shkëmbimi të burgosurish mes Uashingtonit dhe Karakasit.
Ndërkohë që ajo pritet të përballet me akuzat në Nju Jork, mbetet e qartë për të gjithë: Cilia Flores është e pandashme nga figura dhe pushteti i Nicolas Maduro, dhe roli i saj ka qenë kyç për regjimin venezuelian dhe për bashkëpunimin me kartelet e drogës, të cilave Presidenti Donald Trump u shpalli luftë të hapur.