Në mbyllje të vitit 2025, Policia e Shtetit nën drejtimin e Ilir Prodës publikoi me krenari bilancin e festave, duke theksuar shifrat rekord të gjobave si tregues suksesi. Ndërkohë, në terren, Policia Rrugore e drejtuar nga Perlat Vatoci u pa më shumë duke ndëshkuar sesa duke parandaluar, ndërsa në fillim të viti 2026 akset kombëtare u përfshinë nga trafik kilometrik, bllokime dhe aksidente të rënda. Mes statistikave dhe realitetit në asfalt, mbeti edhe një herë hendeku i madh mes propagandës dhe sigurisë reale rrugore.
Më 1 janar, një aksident i rëndë ndodhi në aksin “Gjirokastër–Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”. Si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, humbën jetën tre të rinj, Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç Martin Dulaj, 25 vjeç ndërsa e fejuara e Martinit, Arsida Demiri 19-vjeçare mbeti e plagosur rëndë. .
Mëngjesin e 2 janarit, një aksident fatal u regjistrua në aksin Lezhë–Shkodër, pranë fshatit Gocaj. Nga përplasja e dy automjeteve humbën jetën një çift bashkëshortësh, Elona Florini dhe Petrit Florini, 45 dhe 53 vjeç. Në aksident u plagosën edhe një nënë dhe dy fëmijët e saj të mitur, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ulja e temperaturave solli ngrica në segmentin Milot–Kalimash të Rrugës së Kombit. Tre aksidente përfshinë rreth 15 automjete, mes tyre një mikrobus dhe një ambulancë. Gjashtë persona u lënduan dhe u transportuan në spital, por pa rrezik për jetën.
Gjatë ditëve të para të janarit, disa aksidente u regjistruan në Vlorë, Elbasan dhe Lushnjë. Në Vlorë u plagosën pesë persona, ndërsa një 90-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në Elbasan dhe Lushnjë u raportuan aksidente me të lënduar, por pa humbje jete.
Më 3 janar, një këmbësor humbi jetën pasi u përplas nga një autobus në zonën e Mulletit, në Tiranë. Këmbësori Zaim Ismaili, 46 vjeç, u përplas për vdekje nga autobusi i linjës Tiranë–Kërrabë, që drejtohej nga Ndriçim Hidri, 56 vjeç.
Në ditët e para të Vitit të Ri, disa akse kombëtare u përballën me trafik të paralizuar. Situata më problematike u regjistrua në aksin Prrenjas–Elbasan, ku qarkullimi u bllokua për dhjetëra kilometra. Trafik i rënduar u raportua edhe në Milot–Lezhë, duke shkaktuar vonesa të gjata për qytetarët.