Një histori prekëse ka mbërritur mbrëmjen e sotme në redaksinë e JOQ Albania. Një i ri nga Shkodra ka vendosur të kërkojë falje publike familjes së tij dhe të përmbushë amanetin e babait, i cili u nda nga jeta në vitin 2019.
Ardit Mansaku rrëfen se prej 14 vitesh nuk ka pasur asnjë kontakt me nënën dhe vëllain e tij, Lirie dhe Armend Mansaku, për shkak të fyerjeve të rënda që u kishte drejtuar në rininë e tij. Kjo situatë solli shkëputjen nga familja dhe për shumë vite ai është strehuar nga një shoqatë në Shkodër.
Para se të ndërronte jetë, babai i Arditit la një amanet të qartë: “Arditi duhet të pajtohet me nënën dhe vëllain e tij.” Sot, Arditi po përpiqet ta çojë në vend këtë amanet dhe të ribashkohet me familjen. Ai di se nëna dhe vëllai jetojnë në Itali, por nuk ka asnjë mënyrë kontakti me ta.
Për këtë arsye, ai ka vënë në dispozicion numrin e telefonit 069 79 14 133, duke kërkuar ndihmën e kujtdo që mund ta njohë familjen ose të afërmit e tyre, që t’i vërë në dijeni për këtë thirrje.
Arditi shprehet se ka shumë nevojë për dashurinë e familjes së tij, duke theksuar se ka ardhur momenti për të lënë pas të shkuarën dhe për të rindërtuar lidhjet familjare.