Vrasja e Hysni Ymerit në Shkodër, 1 mijë euro për eksplozivin

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.01.2026, 12:39

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 67-vjeçarit Hysni Ymeri, e ndodhur më 29 dhjetor 2025 në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër. Policia ka arrestuar katër persona, Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi, të cilët akuzohen se në bashkëpunim dhe kundrejt pagesës kanë vendosur lëndë plasëse në panelin elektrik të pallatit ku banonte viktima. Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale për shkak të një defekti elektrik, por kjo pistë u rrëzua pas verifikimeve të OSHEE-së dhe hetimeve të mëtejshme të policisë.

Sipas hetimeve, Gerti Bushati dyshohet se është paguar 1 mijë euro për të vendosur eksplozivin, shumë e cila është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij. Kamerat e sigurisë të një biznesi pranë vendngjarjes kanë filmuar Bushatin teksa lëviz në zonë, i veshur me kominoshe mbi rrobat e tij, të cilat më pas i ka hedhur pranë lumit pas largimit; këto rroba janë sekuestruar si prova materiale. Hetuesit kanë konstatuar se në zonë, ditën e ngjarjes, ndodheshin edhe Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj, ndërsa dyshohet se shpërthimi është aktivizuar me telekomandë nga Ibrahimi në momentin kur Ymeri po ngjitej drejt banesës.

Grupi hetimor bën me dije se të arrestuarit nuk kanë pasur konflikte të drejtpërdrejta me viktimën dhe ende nuk është identifikuar porositësi apo motivi i vrasjes. Pas shoqërimit në polici, të dyshuarit janë mbajtur në përgjim ambiental dhe nga komunikimet e tyre janë siguruar elementë shtesë për hetimin. Të hënën, katër të arrestuarit pritet të dalin përpara gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, nën akuzat e “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe “Prishjes së qetësisë publike”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit