Kanë kaluar plot 76 ditë nga zhdukja e 26-vjeçarit Florjan Tabaku, por ende asnjë gjurmë e tij. I riu nga Tropoja, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është me aftësi të kufizuara, humbi kontaktet me familjen më 20 tetor 2025, ndërsa ndodhej në zonën Qafë-Morinë–Gjakovë për të mbledhur gështenja.
Që prej asaj dite, familja e tij jeton në ankth, duke kërkuar çdo mundësi për ta gjetur. Kërkimet, të zhvilluara fillimisht në të dy anët e kufirit Shqipëri–Kosovë, janë ndërprerë prej ditësh, megjithëse ende nuk ka prova që Florjani të mos jetë në zonën malore.
Familjarët e tij i janë drejtuar përsëri redaksisë sonë me një thirrje të sinqertë:
“Përshëndetje JOQ, ju lutemi na ndihmoni pasi ende nuk kemi asnjë lajm për vëllain tonë Florjan Tabaku, i zhdukur që nga 20 tetori 2025 në Qafë Morinë-Tropojë. Ju lutemi ta postoni në JOQ Albania dhe JOQ Kosova sepse çdo informacion është jetik dhe do të shpërblehet. Numri i telefonit është 069 38 29 918.”
Florjani është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë dhe çdo ditë që kalon, shpresa e familjes për ta gjetur të gjallë po venitet, ndërsa ata luten që ai të kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi.
Nga ana tjetër, policia dhe ushtria të cilët ushtruan kontrolle për gjetjen e tij, nuk mundën ta gjenin dot.