SI SOT/ Trau i bashkëqeverisjes PD-PS dhe zhvatja që po iu bëhet shqiptarëve!

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.01.2026, 12:34

Nga 4 janari 2025 e deri sot 4 janar 2026, trau i Thumanë–Kashar vazhdon të "konsumojë para" jo për të rregulluar trafikun, por për të zhvatur xhepat e shqiptarëve. Tarifa 270 lekë për një kalim të vetëm është kthyer në simbolin më të qartë të bashkëqeverisjes reale mes PD-së dhe PS-së, një marrëveshje e heshtur ku ngjyrat politike ndryshojnë, por dora që futet në portofolin e qytetarëve mbetet e njëjtë. Me justifikimin e koncesioneve dhe “standardeve europiane”, trau funksionon si një taksë private mbi frymëmarrjen e përditshme të njerëzve që s’kanë alternativë tjetër veçse të paguajnë.

Ironia është se ndërsa partitë shahen publikisht, në asfalt dhe në tra bien dakord për mrekulli. PD flet për abuzime, PS për zhvillim, por asnjëra nuk prek mekanizmin e zhvatjes që i lidh bashkë, rrugë me pagesë të shtrenjta, kontrata afatgjata dhe llogari që kurrë nuk sqarohen qartë për qytetarët. Kursi i këmbimit, TVSH-ja dhe llogaritjet “teknike” përdoren si perde tymi, ndërsa rezultati është i thjeshtë dhe brutal, shqiptari paguan më shumë se sa i takon, çdo ditë, në çdo kalim.

Paratë për ndërtimin e këtij aksi arrijnë në vlerën e rreth 435 milionë eurove dhe të gjitha këto dalin nga buxheti i shtetit shqiptar. Nëpërmjet një tenderi të dyshimtë me vlerë rreth 226 milionë euro, fitues u shpall Bashkim Ulaj me kompanitë e tij GENER 2 dhe G2 Infra. Kujtojmë se SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ushtruar rreth 35 kontrolle me vendim të GJKKO-së ndaj kompanive përfituese të tenderëve rrugorë dhe zyrtarëve vartës të saj. Kontrollet janë shtrirë te “Gener 2” për koncesionin Thumanë–Kashar.

Trau i Thumanë–Kashar nuk është thjesht një barrierë fizike, por një monument i politikës që bashkohet kundër popullit. Ky është trau i PD-së dhe PS-së, i ndërtuar me gjuhë të ndryshme, por me të njëjtin interes, garantimin e fitimit privat mbi nevojën publike. Trau i Thumanë–Kashar do të mbetet prova më e qartë se në Shqipëri qytetari paguan gjithmonë, ndërsa PD dhe PS qeverisin bashkë kundër popullit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit