Kaos në Greqi, mbyllet hapësira ajrore greke pas një defekti në sistemet e navigimit të avionëve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 04.01.2026, 11:35

Një defekt serioz në sistemet e komunikimit radio ka paralizuar plotësisht hapësirën ajrore të Greqisë këtë të diel. Problemi teknik ka bllokuar nisjet nga aeroportet kryesore të vendit, ndërsa avionët që ndodhen në fluturim po devijohen drejt aeroporteve të vendeve fqinje ose po përpiqen të ulen duke ndjekur procedura manuale.

Nga aeroporti “Eleftherios Venizelos” në Athinë dhe ai i Selanikut nuk lejohet asnjë nisje e re. Avionët që ishin tashmë në ajër janë detyruar të presin mbi det ose të ndryshojnë destinacion, derisa të krijohen kushte të sigurta për ulje. Situata bëhet edhe më kritike pasi kjo e diel përkon me një nga ditët me fluksin më të lartë të udhëtarëve që kthehen nga pushimet e fundvitit.

Sipas informacioneve paraprake, defekti lidhet me qendrat kryesore të kontrollit ajror në Athinë dhe në pjesën veriore të Greqisë. Sistemet e vjetruara të komunikimit radio nuk po lejojnë lidhjen normale mes kullave të kontrollit dhe pilotëve.

Eksperti i aviacionit dhe piloti i njohur, Grigoris Konstantellos, sqaron se në raste të tilla aktivizohen të ashtuquajturat “procedura të humbjes së komunikimit”. Kjo do të thotë se pilotët rrotullohen mbi aeroport dhe presin momentin e përshtatshëm për ulje, pa mbështetjen e sistemeve automatike të drejtimit.

Pavarësisht situatës shqetësuese, ekspertët sigurojnë se nuk ka rrezik të menjëhershëm për pasagjerët. Avionët modernë janë të pajisur me sistemin TCAS, i cili u mundëson mjeteve ajrore të komunikojnë mes tyre dhe të shmangin përplasjet, edhe në mungesë të udhëzimeve nga kontrolli tokësor.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për rikthimin e normalitetit, ndërsa Autoriteti i Aviacionit Civil Grek pritet të publikojë një deklaratë zyrtare në orët në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit