Me pranga në duar, presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, sipas raportimeve, ka mbërritur në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn, pas një ndalimi fillestar në një bazë ushtarake në SHBA dhe procedurash në zyrat e Agjencisë Amerikane kundër Drogës (DEA) në Nju Jork. Ai është paditur për akuza që lidhen me drogën, armët dhe komplotin, akuza të cilat i ka mohuar vazhdimisht. Bashkë me bashkëshorten e tij, Maduro pritet të dalë para një gjykatësi në Nju Jork në një datë ende të pacaktuar.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar pamje që tregojnë Maduron me pranga në duar, i rrethuar nga agjentë të DEA-s dhe Hetimeve të Sigurisë Kombëtare. Në fotografi, ai shihet i veshur me rroba sportive blu, i ulur në një karrige pas mbërritjes në Nju Jork.
Situata ka shkaktuar tensione të forta në Venezuelë, ku në Karakas dhe qytete të tjera janë raportuar protesta, festime dhe shqetësime për të ardhmen e vendit. Ndërkohë që supermarketet në disa zona po mbyllen dhe qytetarët po furnizohen me ushqime, Gjykata Supreme e Venezuelës ka mbajtur një seancë emergjente dhe ka emëruar nënkryetaren Delcy Rodríguez si presidente të përkohshme. Kjo vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA-të do të mbikëqyrin Venezuelën deri në një tranzicion të sigurt dhe të ligjshëm të pushtetit.