Britania dhe Franca kryejnë sulme ajrore në Siri

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.01.2026, 00:48

Britania e Madhe dhe Franca kanë kryer mbrëmjen e së shtunës një operacion të përbashkët ajror në Siri, duke bombarduar një depo të dyshuar armësh që më herët ishte përdorur nga grupi terrorist ISIS, bëri të ditur Ministria britanike e Mbrojtjes.

Sipas autoriteteve britanike, avionët perëndimorë po kryejnë prej kohësh patrullime në rajon me qëllim parandalimin e riorganizimit të ISIS-it, grup që kontrolloi zona të mëdha të Sirisë deri në vitin 2019. Analizat e inteligjencës identifikuan një strukturë nëntokësore, e dyshuar si depo armësh dhe eksplozivësh, e vendosur në zonat malore në veri të Palmyrës.

“Forcat tona ajrore përdorën bomba të drejtuara Paveway IV për të goditur disa tunele hyrëse të objektit. Edhe pse vlerësimi i plotë është ende në proces, të dhënat e para tregojnë se objektivi u godit me sukses,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë.

Autoritetet britanike theksuan se zona e goditur nuk kishte banorë civilë, ndërsa të gjithë avionët u kthyen të sigurt nga misioni.

“Ky veprim tregon lidershipin dhe vendosmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të qëndruar krah për krah me aleatët tanë, në mënyrë që të ndalojmë çdo ringjallje të Daesh-it dhe ideologjisë së tij të dhunshme në Lindjen e Mesme,” deklaroi ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, duke iu referuar ISIS-it me emrin alternativ.

Britania bëri të ditur se në këtë operacion u përdorën avionë luftarakë Typhoon FGR4, të mbështetur nga një avion furnizimi Voyager, në bashkëpunim me forcat ajrore franceze.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit