Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka mbërritur pasditen e së shtunës në New York, pas kapjes së tij gjatë operacionit të gjerë ushtarak amerikan të zhvilluar në Venezuelë.
Sipas autoriteteve federale amerikane, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, kanë zbritur në bazën ajrore Stewart Air Force Base, në Newburgh të New York-ut, nën masa ekstreme sigurie. Në pamjet që po publikohen, ai shihet duke zbritur nga avioni, i shoqëruar nga forcat e sigurisë amerikane.
Sipas autoriteteve amerikane, ndaj Nicolás Maduro-s janë ngritur akuza federale që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës, veprimtari të dyshuara të narko-terrorizmit dhe shkelje të rënda të ligjeve për armët.
Ai pritet të dalë javën e ardhshme përpara Gjykatës Federale në Manhattan, ku do të përballet me akuzat.
Mbërritja e tij në SHBA vjen pas një operacioni masiv ajror, tokësor dhe detar, të nisur në orët e para të së shtunës, ku u përfshinë të paktën 150 mjete ushtarake. Gjatë këtij operacioni, Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën dhe u nxorën jashtë Venezuelës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA do të marrë drejtimin e Venezuelës pas kapjes së Maduro-s, deri në një “tranzicion të sigurt, të rregullt dhe të drejtë” të pushtetit. Ai ka theksuar gjithashtu se Uashingtoni synon të shfrytëzojë rezervat e mëdha të naftës venezueliane.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, e cilësoi ndërhyrjen amerikane si tentativë për ndryshim regjimi, duke akuzuar SHBA-në se synon kontrollin e burimeve natyrore të vendit. Ajo deklaroi se Venezuela është e gatshme të mbrojë pasuritë e saj.
Prokurori i Përgjithshëm i Venezuelës tha se gjatë sulmeve janë vrarë civilë të pafajshëm në disa zona të Karakasit, ndërsa burime amerikane kanë konfirmuar se disa ushtarë amerikanë janë plagosur, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas autoriteteve federale, avioni që transportoi Maduron dhe bashkëshorten e tij mbërriti në Stewart Air National Guard Base rreth orës 17:22 me orën lokale, moment që u transmetua edhe drejtpërdrejt.