Prej dy ditësh, banorët e lagjes Fushë Gjorm ndodhen pa energji elektrike, pas djegies së transformatorit të zonës. Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, deri më tani nuk është marrë asnjë masë nga institucionet përgjegjëse, duke lënë 14 familje në errësirë të plotë.
Banorët tregojnë se ndërprerja e energjisë ka qenë e menjëhershme, ndërsa përpjekjet për të kontaktuar elektricistët kanë qenë të pasuksesshme, pasi askush nuk u është përgjigjur thirrjeve të tyre.
Mungesa e energjisë elektrike për një kohë kaq të gjatë po shkakton vështirësi serioze për familjet, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Përveç ndriçimit, banorët janë të privuar edhe nga përdorimi i pajisjeve bazë elektroshtëpiake.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga OSHEE dhe institucionet përkatëse, duke theksuar se është e papranueshme që në vitin 2026 familje të tëra të mbeten pa energji elektrike për ditë të tëra, pa asnjë reagim apo njoftim zyrtar.
JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve që të reagojnë sa më parë dhe të zgjidhin këtë problem, i cili po rëndon çdo orë e më shumë jetën e banorëve të Fushë Gjormit.