Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast vjedhjeje, që sipas saj ka ndodhur pasditen e sotme në dyqanin e saj në Elbasan, në afërsi të stadiumit.
Sipas denoncueses, në momentin e ngjarjes ajo nuk ndodhej në dyqan, pasi ishte larguar për pak minuta për të porositur një kafe në lokalin ngjitur. Gjatë kësaj kohe, një vajzë e re është futur në dyqan, ka marrë një shall dhe është larguar, gjë e cila dëshmohet dhe në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë.
Pronarja shprehet se e ka konstatuar mungesën e mallit më pas dhe, duke verifikuar kamerat e sigurisë, ka dalluar pamjet ku shihet një vajzë e re teksa merr shallin dhe largohet.
Ajo pretendon gjithashtu se vajza në fjalë ka vëzhguar më herët lëvizjet e saj, pasi fillimisht kishte hyrë në dyqan për një blerje, të cilën më pas e ka kthyer, ndërsa është futur sërish kur dyqani ka qenë bosh. Denoncuesja shton se dera e dyqanit ka vështirësi për t’u hapur, çka sipas saj tregon se veprimi mund të ketë qenë i qëllimshëm.
Qytetarja i bën thirrje vajzës që të kthejë mallin, në të kundërt thotë se do të ndjekë rrugët ligjore dhe do ta denoncojë rastin në polici.