“Kanë shpifur për mua” – Shqiptarja hedh në gjyq gazetarët e njohur italianë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 03.01.2026, 20:48

Prezantuesi italian i emisionit La Vita in Diretta, Alberto Matano, 53 vjeç, dhe gazetarja e terrenit, Barbara Di Palma, 46 vjeç, janë paditur për shpifje të rëndë nga kujdestarja shqiptare A.S., 45 vjeç.

Kujdestarja, e cila më parë ishte hetuar dhe më pas u dënua në nëntor të vitit të kaluar me dy vjet burg për shfrytëzim të paaftësisë mendore, dyshohet se ka nxitur baroneshën Maria Malfatti, e cila vdiq më 31 tetor 2023 në moshën 87-vjeçare, të emëronte atë trashëgimtare universale, duke i lënë pasuri me vlerë rreth pesë milionë euro. Nëntë nipërit e baroneshës janë paraqitur si palë civile në proces për të mbrojtur interesat e saj.

Rasti i kujdestares u trajtua në emision më 16 prill, ndërsa seanca paraprake gjyqësore ishte ende në zhvillim. Kujdestarja ka kundërshtuar veçanërisht përdorimin e termit “djallëzore” gjatë reportazhit, si dhe sugjerimin se ajo mund të ishte pjesë e një organizate mashtruese.

Megjithatë, më 25 qershor, prokuroria e Roveretos depozitoi kërkesën për arkivim të padisë, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për shpifje. Kujdestarja, përmes avokatit të saj Nicola Canestrini, ka kundërshtuar këtë vendim, dhe dosja tani ndodhet për shqyrtim pranë gjyqtarit të seancës paraprake, i cili pritet të caktojë datën për shqyrtim.

Avokati i gazetarëve, Luca Tirapelle, ka deklaruar se raportimi ka qenë thjesht gazetaresk dhe pa qëllim denigrues, duke përfshirë edhe dëshmi nga mikeshat e baroneshës që përshkruanin sjelljen e kujdestares si “të dashur”. Nga ana tjetër, avokati i kujdestares ka insistuar se termi “djallëzore” është fyese dhe nuk i referohet veprimeve të raportuara, por personalitetit të klientes së tij.

Çështja mbetet ende në shqyrtim, dhe gjyqtari pritet të vendosë mbi kërkesën e mbrojtjes për vazhdimin e hetimeve ose ngritjen e akuzës ndaj gazetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit