Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të marrin drejtimin e Venezuelës pas kapjes së Nicolás Maduro-s, deri në atë që ai e quajti një “tranzicion të sigurt, të rregullt dhe të drejtë të pushtetit”.
“Ne do ta drejtojmë vendin derisa të vijë momenti për një tranzicion të sigurt. Nuk duam që dikush tjetër të marrë pushtetin dhe të përsëritet e njëjta situatë që ka ekzistuar për vite me radhë,” u shpreh Trump gjatë një konference për shtyp.
Trump paralajmëroi gjithashtu se SHBA është e gatshme të ndërmarrë një sulm të dytë, shumë më të madh, nëse situata në Venezuelë e kërkon një gjë të tillë. Sipas tij, një skenar i tillë ka gjasa të mos jetë i nevojshëm, pasi operacioni i parë ishte “jashtëzakonisht i suksesshëm”.
“Ne supozonim se do të duhej një valë e dytë, por sulmi i parë funksionoi aq mirë sa ndoshta nuk do të jetë e nevojshme,” tha ai.
Trump bëri të ditur se SHBA do ta administrojë Venezuelën përmes një grupi, ndërsa sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të merret drejtpërdrejt me detajet e këtij procesi. Ai shprehu dyshime për aftësinë e lideres së opozitës, Maria Corina Machado, për të drejtuar vendin, duke deklaruar se ajo nuk gëzon mbështetje dhe respekt të mjaftueshëm nga populli.
Presidenti amerikan theksoi se SHBA nuk ka frikë të vendosë trupa tokësore në Venezuelë, ndërsa paralajmëroi figurat politike dhe ushtarake në vend se ajo që ndodhi me Maduron mund t’u ndodhë edhe atyre, nëse nuk sillen në mënyrë të drejtë ndaj popullit.
“Armada amerikane mbetet në pozicion dhe të gjitha opsionet ushtarake janë ende në tryezë,” deklaroi Trump.
Një fokus i veçantë i deklaratave të tij ishte nafta venezueliane. Trump tha se kompanitë amerikane të naftës do të hyjnë në Venezuelë, duke investuar miliarda dollarë për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar energjetike dhe për ta kthyer sektorin në funksional.
“Ne do të nxjerrim një sasi të jashtëzakonshme pasurie nga toka. Kjo do të shkojë për venezuelianët dhe për SHBA-në, si kompensim për dëmet që na janë shkaktuar,” u shpreh ai.