Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar foton e parë të Nicolás Maduro-s pasi u kap nga forcat speciale amerikane gjatë operacionit ushtarak spektakolar në Karakas. Pamja është shpërndarë në rrjetin e tij social Truth Social, vetëm pak orë pas kapjes së liderit venezuelian.
Në foto, Maduro shfaqet i prangosur dhe me sy të mbuluar, i veshur me një tuta sportive, ndërsa ndodhet në bordin e një anijeje luftarake të SHBA-së, duke mbajtur në dorë një shishe plastike me ujë. Pamja ka bërë xhiron e botës dhe është cilësuar si simbol i përfundimit të regjimit të tij.
Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të “drejtojnë Venezuelën” përkohësisht, deri në një tranzicion të sigurt të pushtetit. Ai shtoi se do të lejojë kompanitë amerikane të naftës të hyjnë në Venezuelë për të shfrytëzuar rezervat e mëdha të naftës, pas operacionit ushtarak që çoi në kapjen e Maduro-s.
Shefi i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine, bëri të ditur se operacioni ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi dhe stërvitjeje, ndërsa në të u përfshinë më shumë se 150 avionë ushtarakë, të shpërndarë në të gjithë hemisferën perëndimore.
“Fjala ‘integrim’ nuk mjafton për të përshkruar kompleksitetin e këtij misioni. Ishte një nxjerrje jashtë vendit jashtëzakonisht precize”, u shpreh Caine në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin Trump.
Sipas autoriteteve amerikane, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, të dy të paditur për akuza të rënda penale, u dorëzuan dhe u morën në arrest nga Departamenti i Drejtësisë, me mbështetjen e ushtrisë amerikane. Operacioni u krye pa humbje jete për forcat amerikane, megjithëse disa trupa mbetën të plagosur.
“Ishte një operacion brilant,” deklaroi Trump për New York Times, duke shtuar më pas në Fox & Friends se ndërhyrja u ndoq në kohë reale nga Mar-a-Lago, ku ai dhe drejtues të lartë të administratës panë drejtpërdrejt aksionin e Delta Force.
Ndërkohë, liderja e opozitës venezueliane e mbështetur nga SHBA, Maria Corina Machado, fituese e Çmimit Nobel për Paqen vitin e kaluar, reagoi menjëherë duke shkruar: “Ora e lirisë ka mbërritur”. Ajo kërkoi që kandidati i opozitës në zgjedhjet e vitit 2024, Edmundo González Urrutia, të marrë menjëherë detyrën e presidentit.
Nga ana tjetër, qeveria venezueliane e cilësoi ndërhyrjen si një “agresion ushtarak jashtëzakonisht të rëndë”, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Reagime të ashpra erdhën edhe nga Rusia dhe Irani, ndërsa shqetësime u shprehën edhe nga aleatë të SHBA-së, përfshirë Francën dhe Bashkimin Evropian.
Sipas agjencisë AFP, operacioni shënon një tjetër moment kyç në politikën e jashtme të Trump në mandatin e tij të dytë, duke konfirmuar se ai nuk heziton të përdorë forcën ushtarake, pavarësisht premtimeve për ta mbajtur SHBA-në jashtë luftërave të gjera.
Vetëm muajin e kaluar, Trump urdhëroi goditje ushtarake ndaj objekteve bërthamore iraniane, ndërsa së fundmi paralajmëroi Teheranin se SHBA do të ndërhyjë nëse regjimi iranian përdor dhunë ndaj protestuesve.
Me operacionin në Venezuelë, Trump ka zbatuar drejtpërdrejt strategjinë e tij të sigurisë kombëtare, të publikuar muajin e kaluar, ku theksohet qartë dominimi amerikan në hemisferën perëndimore.

