Një nga operacionet më të bujshme ushtarake të dekadave të fundit është kryer gjatë orëve të para të së shtunës, kur forcat speciale të Shteteve të Bashkuara kapën presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, në një ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe të mirëkoordinuar në territorin venezuelian.
Operacioni u realizua nga njësia elitare amerikane “Delta Force”, një forcë legjendare e njohur për misione të nivelit më të lartë, e njëjta që në vitin 2003 lokalizoi dhe arrestoi ish-diktatorin irakian Sadam Husein. Lajmi u konfirmua nga autoritetet amerikane dhe u bë publik nga presidenti Donald Trump, i cili e cilësoi ndërhyrjen si “një operacion brilant dhe të pastër”.
Sipas informacioneve zyrtare, operacioni nisi rreth orës 02:00 të mëngjesit me orën lokale në Karakas dhe përfshiu manovra ajrore shpërqendruese, goditje elektronike dhe një inkursion të shpejtë tokësor në zemrën e aparatit shtetëror venezuelian. Sistemet e mbrojtjes dhe komunikimit u neutralizuan në objektiva strategjikë si Fuerte Tiuna dhe baza ajrore La Carlota, duke paralizuar reagimin e forcave vendase.
Në kaosin e krijuar, operatorët e Delta Force depërtuan drejtpërdrejt në zonën e sigurisë së lartë, ku Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u kapën dhe u nxorën jashtë vendit, përpara se strukturat e sigurisë venezueliane të arrinin të organizonin një kundërpërgjigje. Çifti u transferua menjëherë në SHBA.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të forta politike dhe diplomatike, ndërsa Karakasi zyrtar ka mbetur në heshtje, pa dhënë sqarime mbi fatin e presidentit. Analistët e kanë cilësuar këtë ndërhyrje si një moment kthese në Amerikën Latine dhe si një demonstrim force të drejtpërdrejtë të Uashingtonit ndaj regjimeve që i konsideron armiqësore.
Delta Force, njësia që rrëzon diktatorë
Delta Force konsiderohet një nga formacionet më sekrete dhe më vdekjeprurëse të ushtrisë amerikane. E themeluar në vitin 1977 nga koloneli Charles Beckwith, pas eksperiencës së tij me forcat britanike SAS, kjo njësi është projektuar për misione ekstreme: kapje liderësh, eliminime të objektivave me vlerë të lartë dhe operacione urbane precize.
E njohur zyrtarisht me disa emra si 1st SFOD-D, Combat Applications Group (CAG) apo Army Compartmented Elements (ACE), Delta Force vepron drejtpërdrejt nën komandën e JSOC, jashtë çdo ekspozimi publik. Anëtarët e saj përzgjidhen nga elita e ushtrisë amerikane dhe kalojnë një nga trajnimet më të pamëshirshme në botë.
Në historikun e saj përfshihen misione ikonike si kapja e Sadam Huseinit në Irak, operacione kundër Al-Kaedës dhe ISIS-it, si dhe ndërhyrje sekrete në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Si në çdo operacion të këtij niveli, detajet e plota mbeten të klasifikuara, ndërsa operatorët që morën pjesë nuk identifikohen kurrë publikisht.