Duke nisur nga 1 janari 2026, ka hyrë në fuqi aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm motorik (TPL), duke sjellë kosto më të larta për drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme dhe ulje të kufizuara për ata me histori të pastër.
Sistemi bonus-malus parashikon që shoferët me aksidente në të kaluarën të paguajnë prime dukshëm më të shtrenjta sigurimi (malus), ndërsa drejtuesit pa dëme të përfitojnë nga prime më të ulëta (bonus). Sipas ekspertëve të tregut, rritja për kategorinë “malus” do të jetë shumë më e ndjeshme sesa ulja për drejtuesit korrektë, e cila pritet të mbetet modeste.
Vendosja e këtij mekanizmi vjen pas miratimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të rregullores për faktorët e riskut në sigurimin e detyrueshëm. Rregullorja hyri në fuqi më 1 janar 2025, por parimi bonus-malus u shty për zbatim në vitin 2026.
Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë do të marrin në konsideratë një sërë faktorësh, si: historiku i dëmeve, fuqia e motorit, mosha dhe eksperienca e drejtuesit, përdorimi i mjetit (individual apo biznes), qarku i regjistrimit dhe vjetërsia e automjetit.
Edhe pse sistemi bonus-malus parashikohej në ligjin për sigurimin e detyrueshëm që prej vitit 2021, zbatimi i tij nuk ishte i detyrueshëm për kompanitë dhe u bë i mundur vetëm pas miratimit të rregullores përkatëse.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve, tregu i sigurimit TPL vazhdon të vuajë nga mungesa e konkurrencës. Sipas të dhënave të AMF për 9-mujorin 2025, ndarja e tregut mbetet pothuajse e pandryshuar: Sigal kryeson me 20.64%, ndjekur nga Eurosig me 15.19% dhe Sigma me 14.59%.
Mungesa e konkurrencës efektive në këtë treg është ngritur si shqetësim edhe në Kuvendin e Shqipërisë nga AMF dhe Autoriteti i Konkurrencës, duke theksuar se “ngrirja” e tregut mes kompanive reflekton një problem të vazhdueshëm për konsumatorët.