Familja Palla ka bërë një thirrje publike për drejtësi dhe mbështetje, pas humbjes tragjike të Elvis Pallës, 34 vjeç, i cili u vra më 13 dhjetor në mënyrë të dhunshme në Edinburg të Skocisë.
Elvis Palla ishte fëmijë i vetëm dhe do të kthehej pranë familjes më 13 dhjetor, për çka kishte prerë edhe biletën e udhëtimit.
Në vend të ribashkimit të shumëpritur, familjarët morën lajmin tragjik për humbjen e tij.
Sipas autoriteteve britanike, policia u thirr rreth orës 06:10 të mëngjesit të së shtunës në një banesë në Watson Crescent, ku Elvis Palla u shpall i vdekur në vendngjarje. Fillimisht u arrestua një person, ndërsa më pas u konfirmua se Christos Nikiforidis, gjithashtu 34 vjeç, është paraqitur në gjykatë i akuzuar për vrasje. Ai nuk ka dhënë deklaratë dhe është mbajtur në paraburgim, në pritje të shqyrtimit të çështjes për lirim me kusht.
Familjarët bëjnë me dije se Elvisi nuk kishte pasur probleme dhe ishte i përkushtuar ndaj punës së tij. Ai ishte inxhinier kompjuterik dhe prej tetë vitesh punonte pranë rrjetit të supermarketeve LIDL. Deri më tani, arsyeja e ngjarjes mbetet e paqartë. Sipas familjes, i dyshuari ishte shoku i tij i ngushtë, i cili ndodhej për disa ditë pushimi në shtëpinë e Elvisit.
Në këtë periudhë të vështirë, familja Palla përballet edhe me vështirësi të mëdha financiare. Ata kërkojnë mbështetje për mbulimin e kostove të transportit të trupit të Elvisit drejt atdheut, në mënyrë që ai të përcillet për në banesën e fundit pranë familjarëve, si dhe për shpenzimet ligjore të nevojshme për ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore.
Familjarët apelojnë për solidaritet dhe mbështetje, duke theksuar se çdo kontribut apo shpërndarje e thirrjes së tyre është e çmuar.
Apeli i familjarëve:
Mbështetje për Drejtësi për Elvis Pallën dhe Sjelljen e Tij në Shtëpi
Me dhimbje të thellë ndajmë humbjen tragjike të kushëririt tonë, Elvis Palla, i cili u mor dhunshëm nga jeta në Edinburg. Jeta e tij u ndërpre padrejtësisht, duke lënë familjen tonë të shkatërruar dhe në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë.
Elvisi ishte fëmija i vetëm i prindërve të tij krenaria, shpresa dhe qendra e botës së tyre. Ai kishte prerë tashmë biletën për t’u kthyer pranë familjes më 13 dhjetor, dhe ne po e prisnim plot shpresë dhe padurim. Në vend të gëzimit të ribashkimit, morëm lajmin shkatërrues që asnjë familje nuk duhet ta përjetojë.
Në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë, familja jonë po përballet jo vetëm me dhimbje të madhe emocionale, por edhe me barrë të rëndë financiare. Ne po kërkojmë mbështetje për të përballuar:
Kostot e transportit të trupit të Elvisit drejt atdheut, që ai të prehet me dinjitet pranë të dashurve të tij.
Shpenzimet ligjore, për të angazhuar një avokat dhe për të ndjekur drejtësinë për Elvisin, duke u siguruar që kjo çështje të trajtohet siç duhet.
Çdo kontribut, sado i vogël, do të ketë një ndikim të madh për familjen tonë. Nëse nuk keni mundësi të dhuroni, ju lutemi konsideroni shperndarjen e kësaj faqeje mbështetja juaj në çdo formë ka vërtet rëndësi.
Ju falënderojmë nga zemra për mirësinë, solidaritetin dhe lutjet tuaja.
Elvisi meriton drejtësi. Prindërit e tij meritojnë paqe.