Pas sulmeve të ndodhura në orët e para të ditës së sotme, Venezuela ka dislokuar forcat e saj ushtarake, ndërsa në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje të tankeve që lëvizin në rrugët e qyteteve. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa i organizuar do të jetë reagimi i shtetit, i cili tashmë ka mbetur pa liderin e tij, Nicolas Maduro. Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino, u kufizua duke deklaruar se forcat e armatosura ndodhen në gjendje gatishmërie të plotë për një “mbrojtje integrale të kombit”.
“Populli venezuelian ka qenë shënjestra e një agresioni jashtëzakonisht kriminal nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aktualisht po bëjmë bilancin e të plagosurve dhe viktimave”, u shpreh ai.
Kryeqyteti Karakas u trondit nga shpërthime të fuqishme, ndërsa media ndërkombëtare raportuan për avionë luftarakë që fluturonin në lartësi të ulët. Wall Street Journal bëri gjithashtu fjalë për praninë e helikopterëve ushtarakë. Zyrtarë amerikanë i thanë CBS se presidenti Donald Trump kishte urdhëruar sulmet ndaj Venezuelës, duke përfshirë objektiva ushtarake. Sipas informacioneve paraprake, në shënjestër kanë qenë baza ushtarake, veçanërisht kazermat kryesore Fort Tiuna dhe baza ajrore La Carlota.
Ndryshe nga ky qëndrim, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, e përshkroi situatën si një “agim të ri” për Venezuelën pas sulmeve amerikane. “Tirani është larguar. Më në fund do të përballet me drejtësinë për krimet e tij”, shkroi Landau në X.
Senatori Mike Lee deklaroi se ishte informuar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, se Nicolas Maduro do të gjykohet në Shtetet e Bashkuara për vepra penale. Ai shtoi se Rubio nuk ka parashikuar sulme të mëtejshme ndaj Venezuelës, tani që Maduro ndodhet në paraburgim në SHBA.
Prej javësh, tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit kanë qenë në nivele të larta, ndërsa ushtria amerikane ka shënjestruar së fundmi mjete lundruese që dyshohet se përdoren nga trafikantë droge.