Reshjet e shiut dhe moti i paqëndrueshëm kanë krijuar disa problematika të izoluara në qarkun e veriut të Shqipërisë. Situata më e vështirë raportohet në Bashkinë Shkodër, ku si pasojë e reshjeve është shembur një pjesë e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në zonën e quajtur “Shkallë Logje”. Autoritetet kanë vendosur sinjalistikë dhe kanë bllokuar qarkullimin në këtë aks, ndërsa po punohet për vlerësimin e dëmit dhe normalizimin e lëvizjes. Borëpastrueset kanë punuar gjatë gjithë natës për të mbajtur të hapur aksin Qafë Thore–Theth.
Në Bashkinë Malësi e Madhe reshjet kanë pushuar, ndërsa tre borëpastruese po operojnë në aksin Tamarë–Vermosh për të siguruar qarkullimin për shkak të ngricave.
Në Bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut janë ndërprerë, por disa njësi administrative kanë patur ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa grupet e punës po kryejnë riparime.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz reshjet vijojnë me intensitet të lartë, duke shkaktuar rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset mbeten të kalueshme.
Edhe në Bashkinë Pukë reshjet e shiut shoqërohen me erë të fortë, por pa problematika të raportuara.
Nga DRUK Lezhë bëhet e ditur se reshjet e fundit kanë sjellë rreth 85 mm shi, pa shkaktuar probleme në kanalet kulluese, argjinatura apo digën e Rezervuarit të Shkodrës. Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir dhe Gjadër mbeten nën kuotat e rrezikut për përmbytje, ndërsa hidrovoret e Velipojës funksionojnë normalisht.
Në Qarkun Kukës reshjet dhe era kanë sjellë rrëshqitje gurësh në disa akse rrugore, por subjektet kontraktore kanë punuar gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, pa penguar qarkullimin. Aktualisht, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme, dhe nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk raportohet ndonjë emergjencë.
Sa i përket energjisë elektrike, pjesa më e madhe e Qarkut Kukës furnizohet normalisht, ndërsa pa energji mbeten
njësitë administrative Surroj, Topojan, Shishtavec, Zapod, Kolsh dhe fshati Shemri (bashkia Kukës); Nj.Adm. Lekbibaj (bashkia Tropojë); Fshatrat Vlahën, Cahan (Nj.Adm. Qendër Krumë) dhe Nj.Adm. Fajza (bashkia Has).