Moti i keq vijon të shkaktojë probleme në qarkun e Shkodrës, ku është regjistruar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”. Si pasojë, aksi është bllokuar për të shmangur rreziqet dhe po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe rikthimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Përveç shembjes së rrugës, disa zona kanë patur probleme me energjinë elektrike. Konkretisht, në bashkinë e Vaut të Dejës ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji, duke vështirësuar aktivitetin e përditshëm të banorëve.
Ndërkohë, në bashkinë Fushë Arrëz, reshjet intensive kanë shkaktuar rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke rrezikuar banorët. Autoritetet lokale njoftojnë se po punojnë për pastrimin e zonave të prekura dhe për sigurinë e banorëve.