Ende mbetet mister motivi i vendosjes së lëndës shpërthyese në Shkodër, ngjarje në të cilën humbi jetën Hysni Ymeri, 67 vjeç. Autoritetet identifikuan Gerti Bushatin si personin që vendosi tritolin në boksin e sahatëve të energjisë elektrike të pallatit ku banonte viktima. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se Bushati vendosi lëndën shpërthyese mbrëmjen e 27 dhjetorit, ndërsa shpërthimi ndodhi më 29 dhjetor kur Ymeri po ngjitej shkallët e pallatit.
Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të tjera të sigurisë, policia arrestoi gjithashtu Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi, duke zbuluar itinerarin e lëvizjes së autorëve. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 28 telefona celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike, pajisje GPS, kamera sigurie dhe rroba të përdorura nga autori i dyshuar.
Policia nuk ka zbuluar ende motivin e ekzekutimit të 67-vjeçarit, ndërsa të arrestuarit nuk kanë dhënë deklarime. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ata janë vendosur në një ambient të monitoruar për të identifikuar porositësin e ngjarjes, ndërsa pritet që të njihen me masën e sigurisë gjatë ditës së hënë.